EKSKLUZIVE/ U largua nga Kukësi, futbollisti drejt rikthimit te Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2022 | 14:34

EKSKLUZIVE/ U largua nga Kukësi, futbollisti drejt rikthimit te Skënderbeu

Te Skënderbeu po punojnë në dy drejtime. Jo vetëm në fushë, por edhe në zyrë.

Moraesh Skenderbeu logo

Prioritet është marrja e maksimumit të pikëve në tri ndeshjet e mbetura të fazës së parë, por jashtë vëmendjes nuk është lënë as merkatoja.

Me janarin që po afron, bardhekuqtë duan që të përforcojnë organikën dhe të shtojnë forcën ekipit.

Korçarët janë një hap para për këtë pjesë, pasi kanë nisur tashmë negociatat. Kanë piketuar lojtarët e parë që mund të hyjnë në punë për pjesën e dytë të sezonit.

Kriter i padiskutueshëm është eksperienca, ndaj po tentojnë që të marrin elementë që do t’i japin garanci për misionin “Superiore”.

MORAESH

Emri i parë në listë u zbulua dhe është ai i Randi Dumfur. Mesfushori është lojtar i lirë në treg dhe duket se nuk do të ketë pengesa.

E megjithatë, ganezi nuk është i vetmi “ish” që ka piketuar Ardjan Takaj.

Presidenti po ndjek nga afër pistën Agnaldo Moraesh, braziliani, i cili kaloi gjashtë muaj të kënaqshëm në Korçë sezonin që shkoi. Mesfushori nuk gjeti ambientin e duhur te Kukësi dhe për momentin është “free”.

Burime për “Panorama Sport” flasin se menjëherë pas largimit nga veriorët, klubi bardhekuq ka filluar kontaktet me 28-vjeçarin për ta rikthyer në Korçë.

Profili i tij është i njohur te bardhekuqtë, ndërsa edhe vetë Ivan Gvozdenoviç ka dhënë aprovimin për këtë tratativë.

SERBËT

Nga ana tjetër, të njëjtat burime bëjnë me dije se nën vëzhgimin e klubit janë edhe dy futbollistë serbë të propozuar nga vetë trajneri.

Bëhet fjalë për një mbrojtës qendre dhe një mesfushor, por emrat për momentin mbeten “mister”.

Ato janë njohje të vjetra të teknikut 44-vjeçar të Skënderbeut dhe beson se mund t’i shërbejnë.

Gjithsesi, i sigurt është fakti se lëvizjet për momentin janë shtyrë për në janar, kohë kur Skënderbeu do të hidhet në merkato sipas kërkesave të trajnerit.

Deri atëherë bisedimet pritet të vijojnë.

Por ajo që mbetet me prioritet për korçarët, është marrja e rezultateve pozitive në 270 minutat e mbetura.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"