Dogana sqaron sekuestrimin e 42 mijë litrave pije alkoolike në Hoçë të Madhe (VIDEO)

Dogana e Kosovës ka njoftuar se dje ka sekuestruar 42 mijë litra pije alkoolike pasi ka realizuar një kontrollë rutinore tek një dyqan ku shiten pije alkoolike në fshatin Hoçë e Madhe të Rahovecit.

“Gjatë kontrollit janë hasur produkte të gatshme me përmbajtje alkooli në sasi prej rreth 42 mijë litra. Personi në fjalë ka vepruar krejtësisht në shpërfillje të rregullimit ligjor dhe ka bërë dëm buxhetit në vlerë prej rreth 38 mijë euro vetëm për pjesën e detyrimeve për stokun e hasur gjatë kontrollit” – theksohet në njoftim.

Sipas njoftimit, ky aktivitet afarist është i paregjistruar dhe nuk i nënshtrohet as kontrolleve sanitare e higjienike, dhe sipas tyre përbën rrezik edhe për shëndetin e konsumatorit.

Më tej Dogana ka theksuar se zyrtarët kanë gjetur se përveç dyqanit personi përgjegjës operon edhe me veprimtarinë e prodhimit të pijeve alkoolike pa autorizim nga Dogana e Kosovës.

“Veprim ky që është në kundërshtim me normat përkatëse të Kodit Doganor dhe Akcizave” – vazhdon njoftimi.

Dogana e Kosovës ka potencuar se personi gjithashtu nuk ka të regjistruar aktivitetin as si biznes në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.

“Dhe rrjedhimisht nuk përfill kërkesat e raportimit të entit përkatës për mbikëqyrje të prodhimtarisë së verërave” – thuhet në njoftimin e Doganës.

Dogana ka njoftuar Prokurorin e Shtetit për veprimet e mëtejme.

Dogana e Kosovës ka reaguar edhe ndaj disa mediave që kanë publikuar artikuj në lidhje me këtë ngjarje.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, përmes një postimi në Twitter ka thënë se është një “sulm i ri i Kurtit ndaj serbëve në jug të Ibrit ku janë konfiskuar 40 mijë litra verë”.

“Ai dërgoi policinë e tij në qendër të Hoçës së Madhe për të konfiskuar 40.000 litra verë nga një nga vreshtat më të vjetra të Petroviqit. Vendasit u mblodhën për të mbrojtur fqinjin e tyre sepse nuk do të lejojnë mbijetesën dhe terrorin e Kurtit”, thuhet në postimin e tij.

Dogana në njoftimin e saj ka thënë se në fshatin Hoçë e Madhe operojnë dy biznese të autorizuara për produkte të njëjta me pronar qytetar të Kosovës të etnisë serbe dhe paguajnë të gjitha detyrimet ligjore.
“Veprimi i bizneseve të paligjshme përbën konkurencë të padrejtë ndaj bizneseve të ligjshme. Dogana e Kosovës ka zbatuar administrimin e kontrollit dhe procedurat adekuate në mirëkuptim të plotë me personin përgjegjës dhe nuk ka hasur në asnjë lloj pengese nga banorët lokal” – theksohet në njoftim.
Dogana e Kosovës ka sqaruar se veprime të tilla kontrolli që rezultojnë në gjetje të proceseve të paautorizuara prodhimi, janë hasur edhe në qytete tjera, si në Gjakovë ku janë konfiskuar 15 litra alkool në tetor të vitit 2021.
“Dogana e Kosovës do të mirëmbajë përgjegjësitë e veta në mbrojtjen e shoqërisë dhe kërkojmë që ketij qëllimi t’i shërbejnë të gjithë dhe që veprimet e sundimit të ligjit mos të cenohen, pasi në këtë mënyrë përveç mundësimit të veprimeve që shkaktojnë dëme buxhetit dhe konkurencës fer, rrezikohet edhe shëndeti i konsumatorve nga veprimtari prodhuese të pa mbikqyrura” – përfundon njoftimi.