Garda Civile në Spanjë ka çmontuar një bandë kriminale me origjinë shqiptare e cila akuzohet për 40 grabitje me vlerë 800,000 euro.

Mediat spanjolle raportojnë se shtatë shtetasit shqiptarë që janë arrestuar e kishin bazën në Gandia, në qytetin e Valencias dhe fokusin e tyre të “punës” e kishin te shtëpitë e banuara në provinca të ndryshme spanjolle.

Operacioni ‘Rovisa’ filloi marsin e kaluar kur u kryen disa grabitje në banesa në provincën e Salamancas që shkaktuan alarm të madh social tek qytetarët. Agjentët e Gardës Civile dyshuan se autorët e tyre mund të ishin të njëjtët që kishin kryer sulme të ndryshme në pjesë të ndryshme të vendit.

Gjatë hetimeve u zbulua se disa nga autorët e dyshuar me origjinë shqiptare përdorën aeroportin e Lisbonës për të hyrë dhe dalë nga Spanja për në vendin e tyre dhe për të vështirësuar punën e agjentëve të Gardës Civile. Për këtë arsye u kërkua mbështetja e policisë portugeze dhe grupit të punës të policisë shqiptare. Të gjithë agjentët u koordinuan nga agjencia evropiane e policisë Europol, në kuadër të platformës evropiane kundër kërcënimeve kriminale EMPACT OPC.

Shqiptarët me kalimin e muajve ishin bërë ekspertë në “punën” e tyre dhe kishin kryer një sërë vjedhjesh në qytetin e Gandía. Ata udhëtonin edhe në vende të ndryshme të Spanjës për të kryer vjedhje. Drejtuesit e grupit i ndryshonin emrat rregullisht në vendin e tyre të origjinës, ndërsa disa prej tyre kishin deri në tre emra dhe identifikime të ndryshme për ta bërë më të vështirë punën për Gardën Civile.

Gjithashtu, shqiptarët shmangnin përdorimin e telefonisë celulare për komunikimet e tyre duke përdorur radio dhe përdornin targa të falsifikuara si masa sigurie për të mos u zbuluar. Garda Civile pas arrestimit të shtatë shtetasve shqiptarë ka kryer kontrolle në shtëpi në Madrid dhe Valencia. Në to u arrestuan shtatë anëtarë të grupit dhe u sekuestruan një sasi e madhe bizhuteri, para, teknologji dhe materiale të ndryshme të përdorura për kryerjen e grabitjeve në provincat Salamanca, Valladolid, León, Palencia, La Rioja, Navarra dhe Zaragoza.