Këshilltari i presidentes Osmani: Serbia po kërcënon me agresion kundër Kosovës

Shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka reaguar pas deklaratave të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.

Vela në një reagim në Twitter ka thënë se regjimi i Serbisë po kalon nga veprimet e fshehta të dhunshme të strukturave të saj ilegale në Kosovë në kërcënim të hapur për të përdorur forcat policore e ushtarake për të kryer agresion kundër Kosovës.

Ai tutje tha se ky është një kërcënim flagrant për të rrezikuar paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe më gjerë në rajon.

Petkoviq i bëri komentet të enjten në mbrëmje, pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka rritur praninë e saj në veri të Kosovës.

Petkoviq tha se “300 deri në 350 policë të Kosovës – përfshirë pjesëtarë të forcave speciale ROSU – kanë okupuar dhe bllokuar Mitrovicën e Veriut”.

Paraprakisht, edhe disa media serbe raportuan ngjashëm, por Qeveria e Kosovës i hodhi poshtë pretendimet e tilla.

Zëdhënësi Përparim Kryeziu tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet e sigurisë kanë rritur praninë në veri të Kosovës, duke dërguar “vetëm policë të rendit”.

 

Petkoviq: Serbia do të shqyrtojë dërgimin e 1,000 forcave në Kosovë