EKSKLUZIVE/ Titullarët nuk vendosin për të ardhmen, Tirana kërkon rinovimin me mesfushorin e skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2023 | 8:30

EKSKLUZIVE/ Titullarët nuk vendosin për të ardhmen, Tirana kërkon rinovimin me mesfushorin e skuadrës

Tirana vazhdon të ketë në plan të parë rinovimet e lojtarëve pa kontratë. Janë disa lojtarë në listën e rinovimeve. Së pari, Bekaj dhe më pas Behiratçe. Gjithsesi, bardheblutë nuk kanë vetëm problemin e këtyre lojtarëve. Një titullar i padiskutueshëm pa një kontratë pas qershorit është Albano Aleksi.

aleksi

Mesfushori është shtylla e kësaj skuadre dhe për këtë qëllim, bardheblutë kërkojnë që ai të rinovojë. Ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga klubi apo lojtari për këtë marrëveshje. Fakt është që futbollistit i mbaron shumë shpejt kontrata.

Nga ana tjetër, presidenti Halili e konsideron si të preferuarin e tij, ndërsa vetë futbollisti në një intervistë ka pranuar se për këtë çështje do të diskutohet në fund të sezonit.

Aleksi është një nga futbollistët, i cili është paraqitur pothuajse në të gjitha ndeshjet e Superiores dhe kompeticioneve të tjera të Tiranës. Aleksi ka luajtur 31 ndeshje, duke dhënë 2 asiste dhe qenë në fushën e lojës për 2704 minuta lojë.

Albano u bashkua këtë sezon me Tiranën, duke qenë në fushën e lojës gjatë ndeshjeve europiane. Rinovimi i tyre me disa prej lojtarëve të rëndësishëm është në fokusin e klubit bardheblu.

“Panorama Sport” ka njoftuar pak ditë më parë se drejtuesit e Tiranës po negociojnë me Visar Bekajn dhe Zhoselin Behiratçen, por deri tani gjërat nuk kanë shkuar sipas planit.

Bisedimet vazhdojnë, por as portieri dhe as mbrojtësi nuk kanë pranuar të firmosin zgjatjen e marrëveshjes që skadon në fund të këtij sezoni me kampionët e Shqipërisë.

Janë disa lojtarë te Tirana që janë pa kontratë. Bëhet fjalë për Behiratçen, Likën, Hilën, Toshevskin dhe Aleksin. Ende asnjë prej lojtarëve nuk ka zyrtarizuar zgjatjen e kontratës.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"