“1/2 shqiptarë rrezikon varfërinë”, Leskaj apel qeverisë: Të caktohet minimumi jetik zyrtar!

23/03/2023 11:28

Deputeti Bujar Leskaj i ka kërkuar qeverisë të përcaktojë minimum jetik zyrtar, pasi vetëm në bazë të saj do të jetë e mundur dhe llogaritja e pagës dhe siguracioneve minimale në vend.

Gjatë fjalës në Kuvend, Leskaj shprehu keqardhjen që propozimi i tij nuk gjeti mbështetjen e duhur duke theksuar se minimumi jetik është indikatori social kryesor që përdoret për vlerësimin e jetës  dhe varfërisë.

“Në muajin nëntor dhjetor 2022 kur ne diskutuam projektbuxhetin e vitit 2023 paraqita një amendim që kishte të bënte me obligimin dhe detyrimin e qeverisë për të përcaktuar minimumin jetik zyrtar.

Në pjesën e sigurimeve shoqërore kërkoja që qeveria të përcaktojë minimumin jetik zyrtar në bazë të studimeve dhe anketave të kryera nga Instituti i Statistikave duke filluar nga korriku 2023 gjatë gjithë 6 mujorit të dytë dhe për buxhetet e viteve në vijim pagesat për personat me aftësi të kufizuar të indeksohen dhe plotësohen deri në respektimin e minimumit jetik zyrtar, por ky propozim nuk gjeti mbështetjen e duhur.

Minimumi jetik shërben si një udhëzues për politikat e qeverisë dhe duhet të jetë baza për përcaktimin e ndihmës ekonomike. Ai është indikatori social kryesor që përdoret për vlerësimin e jetës  dhe varfërisë ku përdoret si referencë për pagat dhe siguracioneve minimale.Pse qeveria nuk përcakton minimumin jetik? Ne duhet të ngrihemi në nivelin politik dhe të nisim procedimin zyrtar për hartimin e ligjit dhe përcaktimin e minimumit jetik. Qeveria e ka për detyrë juridike përcaktimin e minimumit jetik – tha Leskaj.

I ndalur tek studimi i Eurostat ku rreziku për të rënë në varfëri llogaritet 1 në 2 persona, shumë mbrapa vendeve të bllokut evropian ku  ky raport është 1 në 5 persona.

Vlen të theksohet se, edhe OKB vlerëson se 32% e popullsisë së Shqipërisë vuan nga pamjaftueshmëria ushqimore, ndërsa sipas Eurostatit 74 .4 % që është në moshë pune rrezikon varfërinë.

Top Channel