Kastrati: Kam gaz lotsjellës me vete, do ta gjuaj në fund

Deputeti nga radhët Partisë Demokratikë të Kosovës, Ardian Kastrati, në seancën e Kuvendit ka thënë se ka një gaz lotsjellës me vete.

“Sot unë e kam një gaz lotsjellës me vete dhe nuk do ta gjuaj tash, kam me e gju në fund edhe ka me gju knej kah ju (në drejtim të kryeministrit dhe ministrave), për me protestu qysh keni protestu ju më herët lidhur me këto marrëveshje” – ka thënë Kastrati.

Këto i ka thënë gjatë kohës kur ai në duar mbante një mjet të cilin e paraqiti si gaz lotsjellës.

“Duhet me kuptu ku është burimi i krizës. Ju kam thënë më herët dhe po ju them edhe sot. Burimi i krizës është mënyra se si keni ardhë në pushtet, se si i keni ndërtu kauzat e rrejshme” – ka shtuar ai tutje.

Kryeministri Kurti po raporton para deputetëve të Kuvendit për takimin e Ohrit në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria e Kosovës e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.