Paga konkurruese me privatin dhe specialistët më të mirë

Për herë të parë të punësuarit në administratën publike përveç pagës dhe shpërblimeve për rezultate në punë, do të kenë të drejtë të marrin dhe përfitime të tjera financiare. Këtë ka parashikuar projektligji më i ri i propozuar nga Këshilli i Ministrave.

Sipas ndryshimeve punonjësit e administratës publike do mund të marrin mbështetje financiare të menjëhershme, shtesa të veçanta mbi pagën bruto mujore, çmime/shpërblime për ide inovative dhe inovacion, shërbime të veçanta. çmime/shpërblime për projekte të fituara nga të cilat janë përthithur fonde.

Nisma argumentohet me qëllimin për të siguruar pagesa konkurruese me tregun privat për disa kategori në fusha apo nënfusha prioritare të zhvillimit të vendit.

“Përmes mbështetjeve shtesë financiare qeveria synon që administrata publike të bëhet më tërheqëse për specialistët, ekspertët dhe menaxherët më të mirë të tregut.”

Për herë parë gjithashtu do të ketë edhe indeksim të pagave të punonjësve në administratë në çdo dy vjet. Vendimi do të merret nga qeveria jo më vonë se indeksimi i fundit të çmimeve të llogaritur nga INSTAT.

Në administratën shtetërore aktualisht ka rreth 184 mijë të punësuar. Paga mesatare mujore për një të punësuar me pagë në sektorin shtetëror është 74.450 Lekë, ndërsa në atë privat është 62.198 Lekë. Ndërkohë që nisma lidhet edhe me vendimin e qeverisë për përcaktimin e pagës minimale në 40 mijë Lekë, e detyrueshme dhe për sektorin privat.

Tv Klan