Mancini i besoi sulmin e kombëtares italiane, deklarata e Tottit për Retegui më 2020 bëhet tejet “virale”

27 Mars 2023
11:22
Alfred Lleshi
back button

“Kam të bëj me një talent të jashtëzakonshëm nga Argjentina, shumë i fortë, gjysmë sulmues. Është shkatërrues. Nuk do t’ia them emrin, përndryshe do të ma vjedhin”. Kështu, në qershor 2020, Francesco Totti foli për Mateo Retegui.

Tani ai është qendërsulmuesi 23-vjeçar nga Tigre, të cilit Roberto Mancini vendosi t’i besonte sulmin e Italisë në ndeshjet e para kualifikuese për “Euro 2024”, duke marrë dy gola në këmbim (i pari në ndeshjen e humbur në Napoli kundër Anglisë dhe i dyti në atë të fituar në Maltë).

Gjykimi i ish-kapitenit të Romës nuk e la indiferent sulmuesin, i cili asokohe ishte në pronësi të Boca Juniors dhe luante në formë huazimi te Estudiantes. “Është krenari dhe gëzim i madh që një person i rëndësishëm si ai më vlerëson mua”, – tha Retegui në atë kohë.

Argjentinasi u bë pjesë e “radarëve” të Tottit dhe tani përfaqësohet nga babai i tij, gati për t’u rrëmbyer nga klube të ndryshme italiane dhe evropiane. Një talent që ish-numri 10 i Romës dhe i kombëtares italiane e pikasi para kujtdo…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit