Ai tha se ka biseduar me banorët që në të ardhmen të depërtohet ky bulevard. Fillimisht do të duhet që të kalojnë planet urbanistike dhe më pas të fillohet edhe në praktikë hapja e bulevardit të Ilindenit. Kjo pritet që të marrë kohë rreth dy vite
Urim HASIPI
Tetovë, 29 maj – Rruga “Mirçe Acev” në Tetovë një kohë të gjatë është në gjendje të mjerueshme. E njëjta ndër vite është shkatërruar dhe ka krijuar shumë vështirësi për qarkullimin e automjeteve por edhe banorëve u ka shkaktuar shumë telashe. Së fundmi, kjo rrugë ka filluar të rikonstruohet dhe të jetë në gjendje më të mirë. Asfaltimi i saj pritet që të fillojë shumë shpejtë, tha gjatë vizitës së sotme në këtë lagje kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami. Ai tha se me rregullimin e kësaj rruge pritet që në të ardhmen banorët të kenë mos probleme gjatë lëvizjes me automjete.
“Ne besojmë se për një periudhë shumë të shkurtër do të asfaltohet rruga dhe do të zgjidhet njëherë e përgjithmonë problemi I qarkullimit të automjeteve në pjesën kryesore të qytetit të Tetovës. Ne si komunë punojmë për zgjidhje afatgjate të kësaj pjese të këtij segmenti të rëndësishëm për qytetin e Tetovës, që nënkupton hapjen e bulevardit Ilinden. Ne si komunë tashmë kemi kontraktuar një kompani që do të punon në Planin Detal Urbanistik për katër blloqe urbane që janë në trasenë e bulevardit Ilinden, por duke mos dashur që qytetarët të presin deri në hapjen e këtij bulevardi dhe të kalojnë në këtë rrugë të dëmtuar, vendosëm që të bëjmë asfaltimin e së njëjtës”, tha Kasami.
Ai tha se ka biseduar me banorët që në të ardhmen të depërtohet ky bulevard. Fillimisht do të duhet që të kalojnë planet urbanistike dhe më pas të fillohet edhe në praktikë hapja e bulevardit të Ilindenit. Kjo pritet që të marrë kohë rreth dy vite. Kasami është pyetur se a do të ketë të njejtat probleme siç I ka komuna edhe me bulevardin “Bllagoja Toska”.
Ai tha se me banorët është biseduar dhe pa u përfunduar të gjitha detajet nuk do të fillohet me punë. “Problemi me Bllagoja Toskën ishte se ne e gjetëm në realizim e sipër dhe disa probleme që është dashur të zgjidhen në fillim, nuk janë zgjidhur fare. Ne, në këtë bulevard që dëshirojmë ta realizojmë do të punojmë që të gjitha problemet të zgjidhen pa filluar punët. Fillimisht shkojmë në atë mënyrë që të kemi plane urbanistike për ato blloqe urbane dhe para fillimit të punëve të kemi të zgjidhur çështjen e shpronësimit. Ne kemi patur takim me qytetarët e kësaj lagje të cilët kanë treguar interesim për depërtimin e bulevardit dhe të bashkëpunojnë në këtë proces”, sqaroi Kasami.
Kjo rrugë është ndër kryesoret në qytetin e Tetovës dhe e njëjta shfrytëzohet për të shmangur rrugën kryesore që lidh qytetin me pjesën e stadiumit të qytetit të Tetovës. Hapja e bulevardit sipas tij do të jetë modern. (koha.mk)