Ndodh në Parlamentin Europian, eurodeputeti nxjerr nga çanta pëllumbin dhe e lëshon në sallë! Reagojnë ashpër të pranishmit (VIDEO)

25/04/2024 13:18

Një veprim i pazakontë ka ndodhur gjatë një seance të Parlamentit Europian ku një eurodeputet sllovak nxorri nga çanta një pëllumb të bardhë dhe e lëshoi të fluturonte në sallë si simbol i paqes në botë.

Ai tha se dëshironte paqe mes rusëve dhe ukrainasve dhe në të gjithë vendet e botës po ashtu.

“Unë do të doja ta liroj këtë pëllumb si një simbol të paqes, për të simbolizuar se Evropa ka nevojë për paqe. Le ta lëmë këtë pëllumb të na bashkojë të gjithëve.”– tha Miroslav Radačovský.

Ky veprim ndryshe nga sa mendonte eurodeputeti sllovak, shkaktoi reagime të ashpra nga kolegët e tij të pranishëm në sallë të cilët e akuzuan se kishte përdorur një shpend për të shprehur një pikë politike në kundërshtim me rregullat e parlamentit.

“Ai përdori një shpend, të fshehur në çantën e tij si një objekt i thjeshtë, vetëm për të bërë një deklaratë paqeje sot. Çfarë do të bëni për ta rikthyer këtë kafshë, zotëri? Ku është mirëqenia e kafshëve në gjestin e këtij folësi? Unë e shoh këtë absolutisht të papranueshme”,- tha eurodeputeti Roose.

Jan-Christoph Oetjen, një nënkryetar i parlamentit, tha se incidenti do t’i raportohet presidentit të dhomës, duke shtuar: “Shpresojmë që kafsha të jetë mirë”.

Top Channel