Llapashtica e Rexha fitues të garës 'Wiki Loves Monuments'

Kultura November 01, 2016 - 12:17

Fotografia e Arben Llapashticës, shkrepur tashmë në parkun kombëtar arkeologjik “Ulpiana” është fituese e garës fotografike “Wiki Loves Monuments” në Kosovë. Në anën tjetër me portretizimin e monumenteve të mbrojtura në Shqipëri fitues kanë dalë Shkëlzen Rexha me një fotografi të Gjirokastrës, shkruan zeri.info.

Këtë vit në garë ishin 648 fotografi nga 39 garues nga Kosova dhe 406 fotografi nga 19 garues nga Shqipëria. Fituesit i zgjodhi juria pesë anëtarëshe. Gara në Kosovë është organizuar nga FLOSSK përmes mbështetjes financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve si dhe Fondacionit Wikimedia ndërsa në Shqipëri nga Open Labs përmes mbështetjes së Fondacionit Wikimedia. Në Kosovë gara do të vazhdojë me një editathon, apo maratonë të editimit të artikujve të monumenteve, e cila do të kulmoj më 13 nëntor kur do të ndahen çmime për shkruesit më të zellshëm për këtë kategori.

Ky aktivitet garues ka filluar më 2012 si një provë e vogël në Holandë, e cila mblodhi 12.500 fotografi. Më 2015 6.618 fotografë ngarkuan mbi 231.000 fotografi të licencuara lirshëm të ndërtesave historike, monumenteve dhe vendeve të trashëgimisë kulturore në 33 vende, duke përfshirë edhe Kosovën. “Trashëgimia kulturore është një pjesë e rëndësishme e dijes që Wikipedia mbledh dhe shpërndan.

Të gjithë mund të kontribuojnë me imazhe, apo të shkruajnë artikuj. Një imazh vlen sa një mijë fjalë, në çdo gjuhë në të njëjtën kohë, dhe entuziastët vendas mund të (ri)zbulojnë rëndësinë kulturore, historike, apo arkitektonike të rrethinës së tyre”, konsiderojnë organizatorët. Çdo konkurs kombëtar do t’i dorëzoj 10 foto në garën ndërkombëtare.

Këto fotografi të përzgjedhura do të gjykohen nga një juri ndërkombëtare, e cila më pas do të ndajë shpërblime shtesë për fotot më të mira nga të gjitha vendet pjesëmarrëse. Në Kosovë edhe vitin e kaluar çmimi i parë i ka takuar fotografit Arben Llapashtica, i cili kishte garuar me një fotografi nga lokaliteti arkeologjik, “Ulpiana”. /Zëri