Nis rikualifikimi urban i bllokut të banimit në Kombinat

24 Shtator 2017, 12:26Sociale TEMA

Rrugët e dëmtuara ndër vite, me ujërat e zeza që rrezikonin të ktheheshin në burim infeksioni, së shpejti do të jenë thjesht një kujtim i shëmtuar për mijëra banorët e Kombinatit. Bashkia e Tiranës ka nisur punën për transformimin e bllokut që kufizohet nga Rr. “Llambi Bonata” – “Haki Stermilli” – “Musine Kokalari” në Kombinat, si dhe rikonstruksionin e Rr. “Zyber Zeneli”, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit të kësaj zone, si dhe krijimin e akseseve të lëvizjes me rrugët e tjera të qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi fillimin e punimeve në të gjithë lagjen ku parashikohet të ndërtohen rrugë, trotuare, lulishte dhe hapësira çlodhëse e argëtuese për fëmijë. Veliaj u shpreh se në dy vitet e dyta të mandatit, fokusi do të jenë në zonat peri-urbane, si Kombinati dhe zonat përreth.

“Në dy vitet e dyta të mandatit, fokusin më të madh do ta kemi në zonat peri-urbane, Kombinati, Astiri, Yzberishti, Yrsheku, Unaza e Re, për t’u siguruar që të njëjtin transformim që kemi patur në qendër të Tiranës, ta kemi edhe në periferi. Në të dy anët kryesore të rrugës së Kombinatit, si tek blloku “Misto Mame”, ashtu edhe tek “Llambi Bonata”, po bëjmë ndërhyrje kapilare në infrastrukturë. Fillojmë fillimisht me 3 blloqe pallatesh që janë zemra historike e Kombinatit, shumë prej tyre të bëra me punë vullnetare, ende me mbishkrimet PPSH sipër. Kjo do të thotë se nuk është venë dorë që në kohën e asaj partie dhe e atyre punëve vullnetare”, tha Veliaj.

Hapja e Unazës së Re nga Kombinati Ushqimor deri në Farkë ka dhënë rezultatet pozitive edhe në këtë zonë, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin rrugor. Kryebashkiaku theksoi se ndërtimi i Unazës është një vlerë e shtuar për zonën e Kombinatit. “Hapja e Unazës së Re nga Kombinati Ushqimor deri në Farkë, ka zgjidhur problematikën e një pjese të trafikut. Ajo që duam është që unaza të jetë një mjet për t’ia shtuar vlerën, jo për ta mbajtur të izoluar Kombinatin”, u shpreh ai, ndërsa deklaroi se një sërë investimesh do të realizohen në këtë zonë për t’u siguruar se Kombinati nuk do të jetë një xhep.

“Ndaj po fokusohemi në ato pjesë që i quajmë jashtë Unazës së Madhe të Tiranës, për t’u siguruar që asnjë zonë nuk mbetet një xhep pa investime. Filluam me çerdhet, me kopshtet, tani me shkollën e re, që ka shfryrë klasat me dy turne në të gjithë Kombinatin dhe besoj do të vazhdojë kështu edhe vitin tjetër, kryesisht me fokus në zonën e Astirit, që është zona fqinj me Kombinatin, aty ku kemi edhe dyndjen më të madhe të popullsisë”, nënvizoi Veliaj.

Ai u shpreh i vendosur që, sikurse po transformohet ky bllok në Kombinat, puna do të vijojë me të njëjtin ritëm edhe për funksionalitetin e plotë të rrugës nga Kombinati Ushqimor deri tek Kombinati Tekstil. Bashkia e Tiranës do të nisë mbylljen e të gjitha hyrjeve dhe daljeve të

paligjshme në këtë rrugë, që bien në kundërshtim me rregullat që përcakton Kodi Rrugor dhe vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, duke krijuar trafik në qarkullimin e mjeteve, si dhe në shumë raste janë bërë shkak për aksidente me rrezik jetën e qytetarëve.

“Do të mbyllim çarjet e paligjshme në rrugë, kjo nuk është një rrugë ku çdo gjë mund të jetë gomisteri dhe lavazh sepse nuk është një rrugë industriale, kjo është një rrugë rezidenciale, kryesisht për banim. Do ju kërkojmë me mirësjellje, siç kemi bërë në rrugën Dritan Hoxha, që të gjitha bizneset që kanë çarë në mënyrë të paligjshme dhe për 27 vite kanë shijuar këto paligjshmëri, tani të na respektojnë edhe ne të tjerëve që nuk kemi shkelur asnjë ligj”, tha kreu i Bashkisë.

Ai u ndal eedhe në një tjetër investim të rëndësishëm, jo vetëm për zonën e Kombinatit, por edhe për Tiranën, sikurse është sistemi i zonës së varrezave të Sharrës. Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për lirimin e hapësirave të zëna në kundërshtim me ligjin, të cilat pengojnë ndërtimin e rrugëve, pasi në të kundërt, do të jetë Inspektoriati Ndërtimor që do të ndërhyjë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje